Kreu / Njoftime & Të reja / Drejtësi Sociale për të gjithë fëmijët, viktima të trafikimit, shfrytëzimit dhe dhunës

Drejtësi Sociale për të gjithë fëmijët, viktima të trafikimit, shfrytëzimit dhe dhunës

Femija duke firmosurKonventa e Kombeve te Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve është një ndër sukseset e spikatura në përpjekjet për advokaci, për t’u dhënë fëmijëve vendin që meritojnë në shoqëri. Vetë Konventa ka krijuar në të njëjtën kohë mundësitë për çdo shtet palë, ku dhe Shqipëria bën pjesë, të ndërmarrë një sërë veprimesh, programesh konkrete për të siguruar zbatimin e saj.

Ndërkohë, zbatimi i saj mbetet ende një çështje shqetësuese dhe në veçanti, kur vjen puna për grupet më vulnerabël dhe më të përjashtuar, siç janë fëmijët që vuajnë forma të ndryshme shfrytëzimi si shfrytëzimi për punë, për lypje apo dhe forma më të rënda si shfrytëzimi për pornografi apo për të kryer marrdhënie seksuale.

Shpeshherë, si të rritur themi se fëmijët janë e ardhmja; ndërkohë që në radhë të parë ata janë dhe e sotmja. Për fëmijët që sot vuajnë varfërinë, shfrytëzimin, dhunën, e sotmja është mjerim i dhimbshëm, shpesh herë duket si ajo “kafshata që nuk kapërdihet”.

Këta fëmijë të cilët jetojnë përreth nesh, të cilët i shohim çdo ditë në semaforë, kafene, apo përgjatë urës së Lanës apo mbi urën e Bunës në Shkodër, në koshat e plehrave apo në lokalet e natës, e mbartin realitetin e varfërisë, dhe të padrejtësisë sociale, në heshtje.

Koalicioni BKTF, si një grupim prej 22 organizatash synon të thyejë këtë heshtje. Si koalicion i organizatave që punojnë drejtpërdrejt me fëmijët, ne synojmë të koordinojmë ndihmën dhe mbështetjen për këta fëmijë, përvojat, eskpertizat, si dhe të makzimizojmë burimet, në mënyrë që t’u shërbejmë këtyre fëmijëve sa më mirë që të jetë e mundur. E megjithatë situata e tyre është mjaft,.. mjaft komplekse.. dhe shpesh herë nuk mjafton. Duhen më tepër përpjekje, më tepër aktorë, më tepër angazhim konkret nga institucionet shtetërore, më tepër alternativa shërbimesh për këta fëmijë të cilat aktualisht mungojnë si dhe më tepër zemër dhe dëshirë për ta parë situatën e tyre, realitetin e tyre nga brenda dhe me sytë e tyre.

Çdo histori jete e një fëmije që ende vuan trafikimin, shfrytëzimin, dhunën, është një histori dështimi për ne si të rritur, për shtetin, institucionet politike, për organizatat që punojnë në këtë fushë, për mediat apo biznesin privat. Çështja e mbrojtjes së fëmijëve, është një cështje që nuk i takon vetëm disa organizatave, apo disa profesionistëve. Ajo është cështje që u takon të gjithëve dhe që gjithsecili, ka një rol dhe përgjegjësi për të ndërmarë.

Koalicioni BKTF do të vazhdojë të thyejë heshtjen dhe të ngrejë zërin për drejtësi sociale për të gjithë fëmijët në Shqipëri të cilët vuajnë shfrytëzimin, trafikimin, dhunë, për aq kohë sa ende këta fëmijë do të vazhdojnë të vuajnë në heshtje mungesën e fëmijërisë, mungesën e të drejtave, mungesën e vëmendjes dhe pjesëmarrjes si qytetar me të drejta të barabarta dhe mungesën e një sistemi mbrojtje sociale që do t’ju garantonte jo vetëm të sotmen, por dhe të ardhmen.

Enkelejda Lopari
Ish Presidente e BKTF

Check Also

Tor per Gazetare dhe Fotografe , Young With a Voice Project

BKTF COALITION hap thirrjen per Gazetare dhe Fotograf në kuadër të projektit Young With a Voice. Kandidatët …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *